Projektligji për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë
Projektligji “ Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” i paraqitur disa ditë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme për konsultim publik, me një të lexuar të impresionon dhe të motivon të shprehesh pozitivisht për përpjekjen e qeverisë që guxoi të ndërmarr një nismë të tillë qoftë edhe nën diktimin e faktorit europjan. Por…
Projektligji për “Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë
Projektligji “ Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” i paraqitur disa ditë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme për konsultim publik, me një të lexuar të impresionon dhe të motivon të shprehesh pozitivisht për përpjekjen e qeverisë që guxoi të ndërmarr një nismë të tillë qoftë edhe nën diktimin e faktorit europjan. Por…
…Për personat dhe grupet e interesuara seriozisht për fatet e tyre ligjore ky projektligj është thjesht një agregat nenesh të huazuara nga Konventa Kuadër e Këshillit të Europës “ Për Mbrojtjen e të Drejtave të Minoriteteve Etnike” disa prej të cilave të parëndësishme për thelbin e objektit.Në fakt është një anashkalim i së drejtës. Një e drejtë që shprehet e cunguar dhe jo siç e nënkupton legjislacioni përkatës ndërkombëtar për pakicat kombëtare, me të gjitha dimensionet e tij dhe me të gjitha garancitë dhe institucionet që e sigurojnë atë.
Në Shqipëri pakicat kombëtare janë të identifikuara dhe në krye të kësaj liste renditet Pakica Kombëtare Greke, besnike ndaj shtetit që në krijim të tij, ashtu siç e kërkon përkufizimi për minoritetet i OKB i vitit 1977, është popullsi autoktone, me kulturë dhe traditë të krijuar që në kohët e lashta, e njohur nga shteti shqiptar si minoritet etnik në Organizatën e Kombeve në tetor të vitit 1921.
I referohemi kësaj pakice për faktin se i përkasim asaj dhe njohim bindshëm gjenezën dhe evoluimin historik. Por me formulimin e nenit 5 të projektligjit në fjalë duket se historia e pakicave fillon nga momenti i miratimit të tij ku përkatësia etnike deklarohet në censuset periodike të popullsisë, të cilat, dihet si bëhen në Shqipëri.
Askush nuk mund të besojë se e drejta e vetëidentifikimit , ose e vetëdeklarimit do të lëvrohet lirisht në këtë vend, pasi faktet tregojnë që predispozicioni politik por edhe juridik është kufizues, reduktues por dhe mohues. Le të kujtojmë këtu vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2011 ku e cilësoi antikushtetues termin “kombësi” në ligjin “Për Gjendjen Civile” dhe në kundërshtim me nenet 19,20 të Kushtetutës dhe nenet 9 dhe 4 të Konventës Kuadër. Kjo është regjistruar në kujtesën e pakicave kombëtare si një goditje fatale për eliminimin e identitetit etnik të tyre, gjë që nuk ka ndodhur për shumicën e pakicave as në kohën e sistemit totalitar dhe të izolimit të plotë.
Përkatësia etnike e një personi në radhë të parë vjen natyrshëm ose e trashëguar nga prindër me të njëjtën origjinë etnike, ose e përfituar nga marrëveshja midis dy prindërve me origjinë etnike të ndryshme. Ky aspekt i përkatësisë etnike nuk pasqyrohet në këtë ligj dhe kjo mangësi nuk lë hapësirë për të korrigjuar heqjen e elementit të kombësisë nga gjendja civile dhe nuk i jep mundësinë atyre personave të pakicave kombëtare të rifitojnë përkatësinë etnike që kanë humbur në vitin 1945 apo më parë akoma.
Dihet që edhe në qoftë se regjistrimet e popullsisë realizohen në mënyrë trasparente,me saktësi dhe me pyetësorë për deklarimin e përkatësisë etnike dhe besimit fetar,një pjesë e konsiderueshme e popullsisë nuk e ka mundësinë të jetë prezente në Shqipëri në momentin e regjistrimit. Vetvetiu përjashtohet nga numri i përgjithshëm dhe kjo mosprezencë i penalizon ata qytetarë që juridikisht janë shtetas shqiptarë por nuk trajtohen si të tillë. Një penalizim që i rëndon më shumë grupeve të pakicave kombëtare.
Pra, në këtë ligj, përveç së drejtës së vetë-identifikimit duhet sansionuar edhe e drejta e përfitimit të përkatësisë etnike që në lindje dhe kjo të konfigurohet në dokumentat themeltarë të gjendjes civile me mbrojtjen njëkohësisht edhe të të dhënave personale sipas ligjit.
Ky projektligj gjithashtu nuk qartëson mënyrën dhe mekanizmat e pjesëmarrjes në jetën publike (politike, shoqërore, kulturore dhe ekonomike) të personave dhe grupeve të pakicave kombëtare në raport me përqindjen e prezencës së tyre, pa sekserë politikë apo ekzekutivë. Në nenin 10 paragrafi 1 shprehet në përgjithësi e drejta e pjesëmarrjes në jetën publike por nuk specifikohen fushat në të cilat kjo e drejtë do të gjejë zbatim. Në mënyrë të çuditshme menaxhimi i së drejtës së pjesëmarrjes i delegohet Këshillit të Ministrave dhe nuk fiksohet si dispozitë e këtij ligji. Pa u sanksionuar e drejta e pjesëmarrjes në vendimarrje apo në diskutimin e çështjeve që u takojnë pakicave, nuk mund të nënkuptohet pjesëmarrja në jetën publike apo aksioni për mbrojtjen e të drejtave në përgjithësi.
Historia ka treguar se deri tani kanë qenë forcat politike ato që vendosnin për punësimin dhe për pjesëmarrjen e pjesëtarëve të pakicave kombëtare në pushtetin politik dhe ekzekutiv dhe jo ligji. Ky boshllëk, sipas mendimit tonë duhet plotësuar në nenin 10 ku pjesëmarrja të jetë e garantuar si në bashkëqeverisje ashtu edhe në ndarjen e të mirave materiale dhe lëvrimin real të së drejtës.
Në radhë të parë duhet filluar me sanksionimin e së drejtës politike në kupolën e vendimarrjes- në Kuvend. Kjo e drejtë nuk mund t’i lihet spontanitetit, pasi ndëpresioni frymëmarrës i forcave të mëdha politike, eksperienca e hidhur e manipulimeve dhe mungesa e besimit në proceset zgjedhore, nuk i lënë shumë hapësira pakicave kombëtare të përfaqësohen në mënyrë të pavarur në kuvendin e Shqipërisë, për të mbrojtur lirisht të drejtat e tyre. Sipas mendimit tonë zgjidhja më e mirë për përfaqësimin e garantuar të pakicave mbetetcaktimi me ligj i mandateve në kuvend në raport me përqindjen e pakicës dhe përzgjedhja e përfaqësuesve të realizohet në procesin demokratik të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare nga votat e qytetarëve me përkatësinë respektive etnike. Për ta konkretizuar do të ishte shumë logjike p.sh. që Pakica Etnike Greke të ketë 3 mandateve në 100 vende në kuvend, për t’u përfaqësuar respektivisht në qarqet e Gjirokastrës, Vlorës dhe Diasporës.
Sigurimi i vendeve në kuvend me përfaqësues vërtet të dalë nga votat e grupeve etnike është një garanci më e madhe edhe për sigurimin e përfaqësimit në pushtetin ekzekutiv, të rendit, të drejtësisë, të arsimit,kulturës, të pushtetit vendor dhe të institucioneve që merren me çështje të pakicave.
Hartuesit e projektligjit, të drejtën e arsimit (neni 12) e kanë reduktuar në mënyrë të ndjeshme. Bëjnë fjalë vetëm për sigurim të mundësive “për të mësuar dhe për të marrë mësime në gjuhën e pakicës” vetëm në njësitë vendore ku ato banojnë tradicionalisht apo në numër thelbësor dhe vetëm nëse ka kërkesë të mjaftueshme.
Kjo dispozitë nuk ka asgjë të përbashkët me ato kërkesa që pakicat kanë depozituar për një arsim dinjitoz në gjuhën amtare, në të gjithë Republikën dhe në të gjitha nivelet. E kufizojnë atë vetëm në zonat e njohura tradicionalisht, dhe i mohojnë të drejtën zonave të tjera që me vendime arbitrare po ky shtet ua ka hequr dhe nuk denjon t’ua rikthejë,ndërsa për arsimimin e fëmijëve të pakicave në diasporën vendase as që bëhet fjalë.
Arsimi në gjuhën amtare të personave të pakicave etnike është thembra e Akilit nga e cila varret fati i identitetit etnik dhe vazhdimësia e traditës kulturore të grupimeve etnike. Pa atë humbet kuptimi i pakicës etnike. Por ky projektligj nuk i referohet aspak detyrimeve të shtetit për të aktivizuar specialistët e pakicës, në institucionet qendrore dhe vendore për hartimin e programeve, teksteve dhe dokumentacionit përkatës për shkollat e këtyre pakicave. Nuk i referohet së drejtës për hartimin e dokumentacionit shkollor edhe në gjuhën e pakicës, apo të krijimit të institucionit të inspektimit dhe këshillimit në njësitë e qeverisjes vendore. Partia “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen” MEGA, ka parashtruar për arsimin këto kërkesa, të cilat nuk janë marrë parasysh nga hartuesit e projekligjit:
- “Të garantohet e drejta e arsimimit dhe e mësimit të gjuhës amtare në të gjitha nivelet e arsimit publik dhe në të gjitha shkencat për çdo individ në çdo vend të Republikës që gjendet.
- Të përshkruhet në ligj detyrimi për krijimin e strukturës së planifikimit, menaxhimit dhe kontrollit të arsimit në gjuhën e pakicës me pjesëmarrjen direkte të specialistëve minoritarë në përbërje të kësaj strukture. Në njësitë e vetqeverisjes vendore të njohura si njësi të pakicave të ngrihen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit zyrat arsimore për pakicat.
- Të sanksionohet pranë Ministrisë së Arsimit zyra e posacme për arsimin e Pakicave Etnike si dhe pjesëmarrja e specialistëve minoritarë në institucionet vartëse të Ministrisë që kanë të bëjnë me përgatitjen e programeve apo inspektimin e arsimit.
- Të përcaktohet me kritere shkencore raporti i gjuhës amtare me gjuhën shqipe në zhvillimin e lëndëve jo vetëm në sistemin 9-vjeçar por dhe në atë të mesëm me qëllim që nxënësit të mësojnë mirë gjuhën e tyre por njëkohësisht dhe gjuhën zyrtare shqipe.
- Të financohet regullisht nga shteti hartimi dhe botimi i teksteve shkollore si dhe kualifikimi i mëtejshëm e kuadrit arsimor si brenda vendit por edhe jashtë vendit nëpërmjet institucioneve universitare kompetente.
- Të njësohet programi i Gjuhës Amtare dhe i lëndëve të tjera shkencore me atë të trungut kombëtar dhe në tekste të tjera të shmanget përmbajtja me sens nacionalist apo të papërshtatshëm për edukimin e drejtë të nxënësve.
- Të lejohet që dokumentat shkollore të shkruhen në dy gjuhë, në atë amtare dhe në atë zyrtare.
- Të krijohen kushte të përshtatshme për nxënësit e pakicës që rikthehen nga emigracioni për t’i integruar në mjedisin e ri shkollor dhe shoqëror.
- Të lejohet ngritja e shkollave të mesme publike për arsimin e përgjithshëm apo profesional në qytetet ku ka më shumë nxënës”.
Gjithashtu edhe trashëgimia kulturore qoftë teorike, apo materiale, duhet të çertifikohet si trashëgimi e minoritetit përkatës, por , kur serviret si mall tregu, përfituesi i parë duhet të jetë komuniteti i cili e prodhoi dhe jo tjetërkush.
Në nenin 15 të projektligjit ku theksohet se ndalohen aktet apo veprimet që ndryshojnë përbërjen e popullsisë në njësitë e qeverisjes vendore të banuara nga personat që i përkasin pakicave kombëtare, nuk trajtohet aspak realiteti shqiptar ku asimilimi i popullsisë, apo grabitja e tokës në këto zona me dokumenta të falsifikuara ka mbizotëruar këto 25 vitet e fundit. Cilat do të jenë ato dispozita që do të rikuperojnë këto veprime antiligjore, të cilat sot japin efekt negativ dhe në disa zona vërtet kufizojnë të drejtat dhe liritë e personave?
Komiteti i Pakicave Kombëtare që ngrihet me qëllim ndjekjen e zbatimit të këtij ligji dhe sigurimin e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave dhe interesave të pakicave kombëtare, ashtu sic parashtrohet në nenin 17 të projektligjit, i ngjan një institucioni që vihet në shërbim të qeverisë dhe jo në shërbim të pakicave.
Shtrohet pyetja:cili do të jetë ai institucion që do të kontrollojë qeverinë në qoftë se ajo nuk plotëson detyrimet e saj ndaj pakicave? Një institucion si Komiteti i Pakicave Kombëtare, në sintezë të të cilit anëtarët dhe bashkëkryetarët emërohen nga Këshilli i Ministrave?
Ky projektligj nuk mund të konsiderohet gjithashtu i realizuar edhe për faktin se në të nuk përfshihet asnjë referim për ndryshime që dikton ai në ligjin themeltar apo edhe në ligjet e tjera siç janë: ligji për arsimin, ligji për kulturën, kodi zgjedhor etj.
Propozimet tona janë bërë që në fillim të diskutimit në komisionin ndërministror, si përfaqësues të partisë “Minoriteti Etnik Grek për të Ardhmen” –MEGA, por fatkeqësisht nuk janë marrë parasysh.
Mendojmë se nuk ka asnjë arsye të shpejtohet në votimin e një ligji të tillë ku duket qartë se është i zhveshur nga e drejta dhe garancitë për zbatimin e tij pakicat duan një ligj të plotë, bashkëkohor sipas të gjitha dispozitave ndërkombëtare për të drejtat e pakicave, por edhe të përshatur me realitetin shqiptar.
Sarande me 15 dhjetor 2016